Institucionet përgjegjëse në Maqedoni janë duke e shqyrtuar mundësinë që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahen më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj, kurse zgjedhjet  të shpallen deri më 8 shkurt , duke u respektuar kështu korniza ligjore, deklaroi sot në pres konferencë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Kjo, siç theksoi ai, do të ishte në pajtim me Kodin Zgjedhor, lidhur me afatet kohore që duhet të respektohen, respektivisht  jo më shumë se 90 ditë dhe jo më pak se 70 ditë nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre. Mandati i shefit të shtetit Gjorge Ivanov përfundon më 12 maj.

Zgjedhjet presidenciale, theksoi Xhaferi, fillimisht ishin planifikuar që të mbahen më 14 prill, ndërsa rrethi i dytë më 28 prill, por duke marrë parasysh atë se më 28 prill janë Pashkët, është bërë zhvendosje  e datave.

Spikeri parlamentar përmendi se duke u nisur nga ajo që tre komuna kanë u.d kryetar komune, në Novo Sellë për shkak të dorëheqjes, ndërsa në Dibër dhe në Ohër për shkak të rastit të vdekjes, është planifikuar që paralelisht me zgjedhjet presidenciale në të njëjtën ditë në këto komuna të mbahen edhe zgjedhjet për kryetar komune.

Lidhur me mundësinë për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare, Xhaferi tha se duke u nisur nga ngjarjet aktuale në vend lidhur me aktivitetet për hyrje në BE dhe në NATO nëse ka zgjedhje do të ketë ngecje të funksionimit normal të institucioneve.

“Por, ky është vendim i partive politike, nëse vendosin kështu, kjo është e drejta e tyre”, shtoi Xhaferi.

Ai shpreson se  deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale do të ketë edhe përbërje të re të Komisionit Antikorrupsion.

Kryeparlamentari theksoi edhe se po bëhen përpjekje që të harmonizohet ligji për luftimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesave, i cili  ka flamur  evropian me afat kohor.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme