Kandidati i Lëvizjes Vetëvendsoje për kryeministër Albin Kurti, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka shpallur fitoren e tij dhe të subjektit të tij politik. Ai tha se kjo fitore është entuziazmi i tretë për Kosovën, duke e radhitur pas ditës së çlirimit të Kosovës dhe ditës së pavarësisë.

“6 tetori e shënoi fillimin e entuziazmit të tretë për vendin tonë. Entuziazmi i parë ishte qershori i 99-ës, entuziazmi i dytë shpallja e pavarësisë dhe i treti është entuziazmi i tetorit 2019. Ne kemi humbur shumë kohë për këto 20 vjet sa mundësi të shpërdoruara sa shanset shkuan huq mirëpo tash erdhi dita. Erdhi dita për ju popull i dashur, pa dallim fshati e qyteti, pa dallim gjinie, të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit. Do te keni shansin që të jetoni ndershëm. Ne premtimet tona do t’i përmbushim sepse do të ju shërbejmë juve”, ka thënë Kurti.

Ai i falënderoi edhe kritikët e Vetëvendosjes duke thënë se kritikat, sulmet e akuzat e kanë kalitur Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi pasur shumë pengesa, kemi pasur shumë vështirësi por ato na kanë kalitur jemi më të fortë se kurrë edhe për të gjitha vështirësitë që na presin. Dua të falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar sepse edhe ata na kanë ndihmuar duke na udhëzuar. Edhe ata që na kanë akuzuar e sulmuar vetëm na kanë kalitur për këtë fitore të madhe”, ka thënë Kurti.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme