Pas përfundimit të takimit me partnerët e koalicionit dhe ambasadorin amerikan Philip Kosnett, që u zhvillua në zyrën e Presidentit Hashtim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë një deklaratë për media.

Ai pas homazheve tek shtatorja e Zahir Pajazitit, ka deklaruar se po i kërkohet Kosovës që ta heq taksën si kusht për vazhdimin e dialogut.

“Na kërkohet që me ja jep shansin dialogut, na kërkohet edhe nga ambasadori amerikan, i dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira ime është me pa zhvillimin e dialogut, por nuk e kuptoj pse ndërlidhet vazhdimi i dialogut me një temë që është e Kosovës. Vendosja taksës është vendim sovran i shtetit të Kosovës. Nuk është me rëndësi kush rrëzohet e kush qohet, me rëndësi me mbet Kosova. Unë jam i interesuam me u arrit marrëveshja me Serinë por pa çmimin e territorit e Zajednicës”, ka deklaruar Haradinaj.

Duke folur rreth situatës brenda koalicionit qeverisës, Haradinaj ka lënë të hapur mundësinë që ditët në vazhdim mund të ketë zhvillime të reja brenda PAN-it.

“Gjitha janë të mundshme në javët dhe ditët që vijnë , e para është të kryen disa gjëra të rëndësishme si buxheti, nëse mospajtimet vazhdojnë mund të rezultojnë me vendime tjera, cilat do qofshin ato”, tha Haradinaj.

Ndryshe, mbrëmë është zhvilluar një takim mes liderëve të partive në pushtet PDK-AAK-NISMA-AKR, pas mospajtimeve të fundit rreth largimit të taksës si dhe rrezikimit të marrëdhënieve me SHBA-të.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme