Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber, thotë se ideja e korrigjimit të kufijve për zgjidhjen e problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është zgjidhje reale dhe as e dëshirueshme.

“Ndryshimi i kufijve nuk është një ide reale dhe as e dëshirueshme si zgjidhje, jo vetëm për Kosovën, por as për konfliktin e ngrirë. Ajo do të rrisë tensionet, gjë për të cilën po lexojmë çdo ditë”, ka thënë ai, shkruan EWB, transmeton Express.

Këto deklarata Bieber i ka bërë në një konferencë së bashku me profesorin tjetër, Nikolas Cifakis, ku kanë folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Njësoj sikurse Bieber, Cifakis thotë se ideja për ndryshim të kufijve do të shkaktonte probleme të reja, përveç Kosovës, edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Ndryshimi i kufijve apo demarkacioni do të krijonte probleme të reja jo vetëm në Kosovë, por mbi të gjitha edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë ai.

Ndërkohë sa i përket zhbllokimit të dialogut dhe situatës së deritanishme, Bieber thotë se përpjekjet deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme, duke bërë thirrje që të mbahet një konferencë serioze dhe përfshirje të forcave të reja në proces.

“Është e vështirë të arrihet një rezultat vetëm me ndihmën e BE-së. Procesi duhet të përfshijë shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-së në mënyrë joformale, pasi që formalisht dhe vendet e tjera do të kërkonin një vend në tryezë, si Rusia”, ka deklaruar ai.

Bieber thotë se deri sot është treguar se negociatat në rajon janë të suksesshme vetëm nëse ka bashkëpunim ndërmjet BE-së dhe SHBA-së.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme