Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, theksoi për “Zërin” se shkëmbimi i territoreve është e vetmja rrugë që e zgjidh çështjen mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, brenda këtij ridefinimi të kufijve duhet të futeshin komunat e Kosovës Lindore.

“Sa i përket idesë për korrigjim të kufijve, Lëvizja për Bashkim ka një qëndrim të qartë, pasi tash e 10 vjet nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e problemit mes Kosovës e Serbisë përveç ridefinimit të kufijve mes këtyre shteteve. Këtu do të duhej të përfshiheshin tri komunat ku jetojnë shqiptarët në Kosovën Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe tri komunat ku serbët janë shumicë në Leposaviq, Zubin Potok e Zvecan. Në të dyja pjesët ka shqiptarë e serbë dhe do të duhej të respektohej parimi etnik në vendosjen e kufijve”, ka theksuar Murati.

Ai ka thënë se nuk ekziston kurrfarë rreziku në integritetin territorial të të dyja vendeve kur ato merren vesh mes vete që të ketë ripërcaktime të tilla të kufijve.

“Është e rëndësishme që një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, siç janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë lënë mundësinë e hapur që ky ridefinim kufijsh të vihet në tryezën e bisedimeve dhe ne jemi të bindur se ky proces nuk ka të ndalur. Ne jemi të bindur se kjo ide çdoherë e më shumë do të forcohet dhe nuk do të paraqesë kurrfarë rreziku kur dy shtete merren vesh”, potencoi ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme