Protesta ishte thirrur të fillojë në orën 12:44 në shenjë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këtu është mbledhur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët vijnë edhe nga komunat tjera. Aty janë të pranishëm edhe të ashtuquajturat “mantelat e bardha” me të cilët është drejtori i Qendrës Klinike Millan Ivanoviq, transmeton portali Kossev.

Në tubim shihen transparentët “Asociacioni mbështetja jonë”, “Prej këtu nuk ka mbrapa” dhe “Nuk i japim të drejtat tona”.

Udhëheqja e Listës Serbe gjendet në plato: Goran Rakiq, Milan Radoiçiq, Dalibor Jevtiq, Slavko Simiq, Nenad Rikalo, Igor Simiq dhe Sërgjan Popoviq. Nuk vërehen forcat e mëdha policore. Është dëgjuar edhe intonimi i himnit të Serbisë.

Lista Serbe mbrëmë ka bërë thirrje për qytetarë që t’i bashkëngjiten protestës me rastin e 2.000 ditëve prej nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacion të komunave me shumicë serbe “që në mënyrë të qetë dhe dinjitoze të dërgojnë porosi të qarta se do të mbesin dhe mbijetojnë në këto hapësira, dhe se nuk do të lejojnë që harresa ta kaplojë marrëveshjen për Asociacionin”, pretendohet në kumtesën e Listës Serbe.

Protesta vazhdon.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme