Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për taksën prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga vendi i tij, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, e cila është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se Kosova ka vendosur këtë taksë ndaj Serbisë “në kundërshtim me CEFTA-n dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.

“Fillimisht ishte 10 për qind. Por, kur e panë që audienca shqiptare reagoi mirë ndaj asaj mase, e rritën atë tarifë në 100 për qind”, është shprehur ai në KS të OKB-së.

“Kanë ndalur, kanë mbytur çdo lloj tregtie mes Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka vënë në rrezik një komunitet të tërë serb në Kosovë, sepse  tregtia është e vetmja mënyrë për ta për të fituar para, për të mbijetuar, për të marrë barna e ilaçe në spitalet e udhëhequra nga Serbia”.

Duke u paraqitur si viktimë, Vuçiq ka thënë se Kosova “ka shkelur, ka rrënuar marrëveshjet” që Bashkimi Evropian i ka ndërmjetësuar mes dy vendeve.

“Në shekullin 21, një vend ndalon, pengon rrjedhën e lirë të mallrave, sepse nuk i ka pëlqyer vendimi politik nga ana tjetër”, është shprehur ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme