PAS PRESHEVËS, SHQIPRIM ARIFI E DO EDHE BUJANOCIN NËN NDIKIM TË  TË VUÇIQIT – BËNË ROLIN E AVOKATIT TË TIJ

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi qenka përpjekur sërish me shmangur të vërtetën, që është në koalicion me partinë e shtetit (SNS e Vuçiqit) dhe se është pikërisht kjo parti-shtet që po e mbanë atë në pushtet në Preshevë, sepse këmba e vetme që i ka mbetur karrikës së Shqiprimit është vota e dy këshilltarëve komunalë të partisë së Vuçiqit.

Në njërën anë të deklarosh se “Vuçiq nuk kishte interesim të vizitojë Shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse rezultatet e tija që ka bërë për shqiptarët janë baraz me zerro” dhe në anën tjetër të jesh në bashkëqeverisje me po të njëjtin Vuçiq, reflekton ose doza demagogjie, ose doza amnezie.

Përpjekja për ta barazuar partinë që e qeveris shtetin me “serbët” shpërfaqë në rastin më të mirë injorancë.

Një gjë tjetër janë serbët dhe një gjë tjetër është partia politike (pushteti) që e qeveris shtetin.

Dallon qeveria dhe opozita.

Siç dallojnë Shesheli dhe Natasha Kandiqi, që të dy serbë.

Po ky dallim duket vështirë i shpjegueshëm për nivelin e Shqiprim Arifit.

E vërtetë se pushteti lokal në Bujanoc është në bashkëqeverisje me subjektet politike që përfaqësojnë mbi gjithash popullatë me përkatësi etnike serbe në Bujanoc.

E vërtetë që në bashkëqeverisje marrin pjesë edhe romët lokal.

E po ashtu e vërtetë që ka edhe investime për qytetarët serbë dhe romë të Bujanocit. Këto investime do të duheshin të bëheshin edhe sikur komuna të qeverisej vetëm nga subjektet politike shqiptare. Bujanoci është i të gjithë qytetarëve të tij, pa dallime etnike. Ata duhen të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ne inkurajojmë edhe komunën e Preshevës që t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, gjeografike, politike, sociale, fetare etj.

Por e vërteta është po ashtu se në Bujanoc partia që e qeveris shtetin e Serbisë është në opozitë. Në Preshevë jo vetëm që është në pushtet, por prej saj varet drejtëpërdrejtë edhe qeverisja e Preshevës.

Thënë më thjesht, në Bujanoc, partia që drejton shtetin e Serbisë nuk ka ndikim në vendimet politike të komunës, sepse pushteti nuk varet prej saj.

Në Preshevë, pa ndikimin (e pëlqimin) e partisë që e drejton shtetin e Serbisë nuk ka asnjë vendim politik të komunës, sepse pushteti varet prej saj.

Po dallimi thelbësor dhe qenësor është marrëdhënia dhe qasja politike që e ndërton dhe zhvillon sot me (pu)shtetin në Serbi, kur je organizim politik që pretendon së përfaqësuari shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shteti diskriminon Luginën e Preshevës, apo jo?

Nëse e konsideron që po, si duhesh konsideruar dhe trajtuar partinë që e qeveris shtetin e Serbisë? Parti/Qeveri nga e cila kërkon përgjegjësi, apo që e trajton si partnere bashkëqeverisëse?

Pa harruar se në Republikën e sotme të Serbisë, që funksionon çdo ditë e më shumë si një shtet-parti, ta kesh në opozitë partinë që e qeveris shtetin nënkupton të shpërfillesh dhe të luftohesh vazhdimisht me forma të ndryshme nga shteti.

Edhe Bujanoci ka mundur me ia bërë si Shqiprim Arifi. Edhe në Bujanoc ka SNS.

Por dallimi vleror dhe politik është se duke e lënë partinë-shtet në opozitë, PVD dhe Shaip Kamberi në Bujanoc kanë përzgjedhur rrugën më të vështirë për vete dhe më rezistuese ndaj diskriminimit shtetëror.

APN dhe Shqiprim Arifi në Preshevë kanë përzgjedhur rrugën më të lehtë për vete dhe më të nënshtruar ndaj diskriminimit shtetëror.

E duket se ky është problemi thelbësor i Shqiprim Arifit dhe APN. Dëshiron që Vuçiqi (Qeveria në Beograd) të vendos edhe për Bujanocin.

Por për Bujanocin vendosin bujanocasit.

Jo Vuçiqi dhe Beogradi!

Shërbimi për informim i PVD-së

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme