Në raportin e departamentit analitik të Parlamentit Evropian të titulluar “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës: konfrontimi ose normalizimi”, thuhet se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, mbi 100 vende e kanë njohur vendin Kosovën përfshirë 23 vende anëtare të BE-së, por njohja e plotë dhe anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare është ende larg.

Në raport theksohet se Serbia dhe Kosova duan të jenë anëtare të Bashkimit Evropian – Serbia si vend kandidat dhe Kosova si kandidat potencial. Megjithatë, BE-ja këmbëngul se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën para se t’i bashkohet BE-së. Që nga viti 2011, me ndërmjetësimin e BE-së, këto dy vende fqinje kanë zgjidhur disa nga çështjet teknike, por mosmarrëveshjet po pengojnë bashkëveprimin e përditshëm mes tyre në fusha siç është tregtia, furnizimi me energji dhe udhëtimi ndërkufitar, transmeton Telegrafi.

Në raport ndër tjera thuhet se një nga pengesat kryesore është gjendja e pakicës serbe në Kosovë. Një në 12 kosovarë janë serbë dhe gati gjysma e tyre janë të vendosur në pjesën veriore. Dhe përkundër përpjekjeve për të integruar veriun që është i banuar me shumicë serbe me pjesët tjera të vendit, Prishtina ende po e ka problem ta kontrollojë atë rajon. Në vitin 2013 dhe 2015, është arritur pajtim që zonave me shumicë serbe në Kosovë t’i jepet autonomi, por përparimi sa i përket këtij aspekti është bllokuar tani.

Në vitin 2018, presidenti i Kosovës dhe homologu i tij serb dolën me idenë e “korrigjimit kufitar”, ndoshta duke përfshirë shkëmbimin e veriut të Kosovës që banohet me shumicë serbe me disa rreth serbe që banohen kryesisht nga shqiptarët. Megjithatë, propozimi është kritikuar nga Gjermania, që frikësohet se çfarëdo shkëmbimi i territoreve rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri duke vënë kështu në pikëpyetje kufijtë e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu ekziston një kundërshtim i fuqishëm i brendshëm për këtë lëvizje si në Kosovë ashtu dhe në Serbi, thuhet ndër tjera në raportin e PE-së.

Dhe përkundër presioneve të rritura ndaj të dy palëve që të arrihet më në fund një marrëveshje që mund të hapë derën e anëtarësimit në BE, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe përparimi drejt normalizimit ka mbetur në një pikë, thuhet në fund të këtij raporti.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme