Pas darkës së mbrëmshme në shtëpinë e të parit të vendit, kryeministri Haradinaj ka pritur sot në takim në zyrën e tij presidentin Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se është takuar me presidentin Thaçi në vazhdën e konsultimeve për agjendën shtetërore, pak para nisjes së presidentit për në SHBA.

“Në vazhdën e konsultimeve për agjendën shtetërore, sot prita në takim Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, para udhëtimit të tij në SHBA”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, mbrëmë presidenti Thaçi i kishte mbledhur në shtëpinë e tij të re, për një darkë me mish e me verë, udhëheqësin e Shqipërisë; kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj; kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli; dhe zëvendëskryeministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Takimi mes krerëve të shtetit dhe mysafirit nga Tirana vjen pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, por edhe pas përplasjeve të vazhdueshme mes shefit të ekzekutivit kosovar dhe të parit të shtetit.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme