Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar një letër zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq duke i kërkuar sqarime në lidhje me rastin e helmimit të zyrtarëve kosovarë nga kutitë me vota të ardhura nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar një letër zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq duke kërkuar prej saj që publikisht të tregojë nëse serbët i kanë helmuar shqiptarët, raportojnë mediat serbe.

Vuçiq reagoi pasi rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë qenë të ngarkuar me numërimin e zarfeve me vota të ardhura nga Serbia janë helmuar. Shkak janë bërë 5 kuti që kanë ardhur nga Serbia me vota, të cilat pasi janë hapur kanë kundërmuar erë.

“Jam i sigurt pas disa ditësh të përcjelljes së aferës së ‘helmimit’ në Prishtinë se keni konkludim rreth asaj që saktësisht ka ndodhur”, shkruan në letrën e Vuçiqit të publikuar në gjuhën serbe dhe angleze në profilin e tij në Twitter.

“Andaj, ju lus që opinionit të gjerë t’i thoni nëse ne serbët i kemi helmuar shqiptarët me antraks, navichok, apo ndonjë tjetër helm të rëndë. Nëse rastësisht kjo nuk është e vërtetë, ju lus që publikisht të tregoni se kush kanë qenë mashtruesit që kanë sajuar një gënjeshtër të tillë”, shtoi ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme