Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot në organizimin e FSK-së për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej ku ka kujtuar sakrificën e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, në veçanti atë të komandantit legjendar, Adem Jashari.

Kreu i Qeverisë ka kujtuar edhe krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo ushtri nuk do të përdoret për të sulmuar qytetarët e vet, as në jug e as në veri të vendit.

Në këtë fjalim Haradinaj ka përmendur edhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se bashkë me ta do të bëhet ajo Kosovë që kanë ëndërruar çlirimtarët.

“Deputetët me 107 vota i thanë po një projekti nacional që vjen në formë euroatlantike, që i shërben paqes. Ushtria e Kosovës nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës as në jug as në veri, ajo do të jetë aty për paqe për të gjithë që jetojnë përgjithmonë,  gjithmonë në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tonë strategjik, do ta bëjmë Kosovën atë se çfarë ëndërruan çlirimtarët”, ka thënë Haradinaj.

Ai ndërkohë nuk e ka thënë asnjë fjalë sa i përket korrigjimit të kufijve, retorikë kjo që jemi mësuar ta dëgjojmë në çfarëdo organizimi ku merr pjesë kryeministri Haradinaj.

I pranishëm në këtë tubim ka qenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme