Të dhënat e vlerësuar të Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se Republika e Kosovës është zvogëluar për rreth 3 kilometra katrorë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë publikoi “Vjetarin Statistikorë për vitin 2018”. Ky raport është një publikim i parvjetshëm i cili përmban të dhëna të ndryshme statistikore për Republikën e Kosovës.

Gjatë shfletimit të këtyre të dhënave, KALLXO.com gjen se Republika e Kosovës ka më pak kilometra katrorë sipërfaqe në krahasim me të dhënat e viteve më parë.

Me një kalkulim të thjeshtë i bie se sipërfaqja e territorit të Kosovës është më e vogël për 3 kilometra katrorë, ose 300 hektarë.

Në të dhënat e vlerësuara për vitin 2017 siç thuhet në raportin e ASK-së, Kosova ka gjithsej 10 mijë e 905 kilometra katrorë sipërfaqe. Në anën tjetër territori i Kosovës deri në vitin 2016 sipas të dhënave poashtu të vlerësuar të ASK-së ishin 10 mijë e 908 kilometra katrorë.

Në përgjigjen e ASK-së për Kallxo.com për këtë çështje thuhet se këto të dhëna janë marrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.

“Burimi i të dhënave për sipërfaqen e Republikës së Kosovës, të prezantuar në Vjetarin Statistikor është Agjencia Kadastrale e Kosovës. Ne vazhdimisht i kërkojmë të dhënat nga ata në formën zyrtare”, thuhet në përgjigjen e ASK për KALLXO.com

Edhe në raportin e Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës të udhëhequr nga akademik Hivzi Islami thuhej se Kosova ka 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë territor.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme